Sigurisht që nuk ka asnjë prind të keq por ka prindërim jo të mirë. Kjo ndodh si pasojë e një fëmijërie jo të mirë nga ana e prindit gjithashtu një formim jo të kuruar më vonë. Ka disa sjellje prindërore të përkthyera në fjalë që ndikojnë shumë negativisht në formimin e personalitetit të fëmijës. Ndaj është shumë e rëndësishme që prindërit të marrin masa në lidhje me mënyrën se si transmetojnë edukimin.
- Turp!
Fjala turp është shumë e përdorshme në shoqërinë tonë, por ajo ndikon negativisht. Nuk duhet kurrsesi të përdorim fjalën turp, në kushte te pakuptimta dhe që nuk kanë lidhje me turpin si koncept. Psh. nëse femija derdh një gotë me ujë, përdoret fjala turp, nëse fëmija qan… turp, nëse fëmija bën një sjellje të pahijshme i thuhet turp. Jo, është shumë gabim. Mos i rrisni fëmijët tuaj me komplekse dhe me turp për gjithçka, ndoshta fëmija po bën një sjellje jo të mirë dhe ju duhet t’ja shpjegoni pse është sjellje që nuk duhet bërë dhe se si është sjellja e duhur. Por jo duke përdorur fjalën turp të pakuptimtë. Dhe duke rritur tek fëmija juaj termin e gabuar për sjellje të pranueshme për moshën e tyre.
- Mos!
“Fëmijët deri në moshën tre vjeç mendojnë se emri i tyre eshte “mos”. Padyshim që femijës duhet t’i vendosim rregulla dhe limite, por lërini ato të jetojnë fëmijërinë e tyre, të eksplorojnë, të shikojnë madje dhe të prishin. Në vend të “mos” mund t’i shpjegoni fëmijës tuaj me qetësi se ajo nuk ishte një sjellje e mirë dhe ti shpjegoni pse ishte e tillë.
- Bëje këtë!
Para se t’i thoni fëmijës tuaj bëje këtë, apo atë, mos harroni që fëmija juaj para se t’jua dëgjojë fjalën modelon sjelljen tuaj. Vazhdimisht duhet të tregoni me fjalë dhe vepra se cila është sjellja e duhur dhe çfarë duhet bërë. Por jo me ton urdhërues dhe të pashpjeguar.
- Mos qaj!
Shumë prindër u thonë fëmijeve të tyre të mos qajnë. Femija qan kur ndihet keq, kur nuk dëshiron që diçka të bëhet etj. Kur femija qan shpreh ndjenjat, ndaj lëreni fëmijën tuaj të nxjerrë të gjithë ndjesitë jo të mira që ka. Mos shtypni që në fëmijëri dëshirën për të shprehur atë ndjesinë që të bën të ndihesh keq. Ndaj lëreni fëmijen të qaj, por tregojini femijës shumë mbeshtetje, dashuri dhe perqafime. Vetëm në këte mënyrë i jepni kurajo dhe siguri për t’u bërë i fortë dhe për t’ja dalur, qoftë edhe e qara e mëngjesit në kopësht.
- Gjendjen Financiare
Fëmija juaj nuk duhet të përfshihet në bisedat tuaja financiare, apo mungesën e buxhetit për të blerë diçka. Ju mund t’i thoni femijës tuaj që kësaj here do blini diçka më të rëndësishme se një lodër apo diçka tjetër që dëshiron fëmija juaj. Por, kurrsesi nuk duhet t’i thoni që nuk keni para, që po vuani apo sakrifikoni. Fëmija juaj është ende i vogël për të mbajtur përgjegjësi për këtë.
Mos e bëni femijën tuaj të ndihet keq duke i thënë që jeni i/e mërzitur, lodhur, që rritja e femijës po ju bën të ndiheni keq, dhe që po sakrifikoni shumë për t’a rritur. Të gjitha këto ndjesi vijnë nga momente që vërtet kemi nevojë të shprehemi por fëmija juaj nuk është personi i duhur. E lendoni shumë në këtë mënyrë.
Këto dhe shumë të tjera janë disa fjalë që pengojnë një femijëri të gëzuar. Nuk duhet të harroni që fëmija juaj ka gjithmonë nevojë për ju, në çfarë do lloj moshe. Ndaj nëse ju keni gabuar diku keni gjithmonë kohë për t’u përmirësuar, dhe për të bërë më të mirën tuaj si prind.